Kudo që u gjeta nëpër plagë të planetit,
Në dasma ku lidhte mendimi krushqi
Në ëndrra, fantazma, dashuri të poetit
Martonin Metafizikën, Frymëzimin poezi.
Net’ e ditë të endura në avlëmend
Me Kujtesën që të kthen ç’i ke dhënë,
Duke u situr miell me besën e shenjtë
Karakteristikë vetëm e zërit tënd
Imagjinata dashuria me mend
Që janë bijat bonjake të shpresës.
Koha ime qe koha e sëmurë.
I mblodha yjet i ngjesha në gji,
I mbrujta me lotë, i poqa në furrë,
I derdha si oriz në pjata farfuri
Shkronjat lëvizën tutje – tëhu në pëlhurë
Për të pikturuar një idhull të ri.
Motër e dashur, kimerë fantazi,
Në paç ti fuqinë sa dëshirat e mia
Do këndosh nëpër shekuj duke qarë pa mërzi
Fjala memece s’shpreh dot ç’i thotë zemra
Mbetën shtatzënë me ideale dhe ëndrra,
S’ia japin dot jetës, pa qen pa qen perëndi.
©️ Isuf LUZAJ
