Revolucionet janë fara e drejtësisë që mbolli koha në shpirtin e popujve gjatë shtypjes e vuajtjeve.
Tronditjet politike, si tërmetet, rrëzojnë strukturat e vjetra të kalbura, për të ngritur me gjak e lot, arkitektura të reja, të shëndosha.
Revolucionet e mëdhenj dhe të drejtë, që i vënë data Historisë, janë punë e principeve (parimeve) dhe kryhen më parë në Moral, për t’u realizuar në jetë me gjak e lot.
Kur revolucionet përfaqësojnë ndërgjegjen e masave, sjellin shpejt shpëtimin përfundimtar, pa pritur evolucionin e ideve, që shumë herë kërkon shekuj të piqet.
Ne e ndjejmë dhimbjen e revolucioneve që na bën të vuajmë disa kohë më vonë, porse është provuar nga Filozofia e Historisë që, sa më e madhe të ndodhë beteja, sa më shumë dëm bëri, aq më shumë na siguron që kryengritja qe e nevojshme.
Demi që bën tufani i revolucionit do të jetë në përpjestim me egërsimin e popullit dhe me paditurinë e tij, dhe egërsira (egërsia) e popullit dhe padituria do të jenë të përpjestuara me shtypjen e tiranisë dhe me degjenerimin që ajo shkaktoi.
I vetmi sigurim kundër revolucioneve është vetëkorrigjimi i shtetit, eliminimi i abuzimeve dhe i abuzonjësve dhe shartimi i vlerave të reja me strukturën e shtetit.
Triumfi më i madh që mund të arrijë njeriu është të zotërojë, të kontrollojë veten, përndryshe, po qe i zotëruar nga pasionet, jeton në robërinë më të zezë.
Ai që di të sundojë veten, mund të dijë të qeverisë të tjerët. Njeriu që është rob i apetiteve, është i dënuar të falimentojë, sado e ndritur të jetë inteligjenca e tij.
Isuf LUZAJ “Filozofia e Bukurisë” Faqe 152.