Duhet të mësojmë të mbajmë shpirtin të zgjuar, jo me mjete mekanike, as me shfrime të shqisave që qorrohen lehtësisht, porse me një varg ekspektacionesh të çdo agimi. Kur e ndjej që, as heronjtë e mendimit, as patriarkët e arteve, as Feja ime: poezia dhe muzika, nuk më ndihmojnë, përpara se t’i dorëzohem monologut të lutjes fetare që është dorëheqje e shkund ndërgjegjen me fuqinë guxonjëse të vullnetit e të eksperiencës. Shoh qartë si në një pasqyrë kristali një jetë organike origjinale, kafshë e shpendë që vizatojnë silueta gjeometrike rreth meje si një film i bukur me ngjyra. Mundohem ta rrëmbej skenën për ta ngjitur mbi letër. Ngjan sikur mërzia dhe trishtimi janë motër e vëlla të frymëzimit.
Mendoj që kështu do të jeté edhe piktura e revolucionit mistik.
Është ashtu, diçka siç i ngjan piktorit, i cili ngjall në realitet një mitologji, si Karavaxho pa dhembjen e Marijes në çastin kur i biri binte nga pesha e kryqit, duke ngjitur shkallët e Kalvarit dhe ngrihej pa mërzi për të vazhduar udhën e paracaktuar.
Pikturoj në imagjinatën time skena të Historisë që nuk ua kemi historinë. E shoh dhe e dëgjoj Ballshën e parë duke ju folur ushtarëve para se të nisej për të vënë në bindje barbarët e Ballkanit.
Sikur e dëgjoj që me flet një zë me gjuhën e të cilit jam pak i familjarizuar. Është ZARATHUSTRA që më thotë: “Përparimi është një kështjellë ku gjithkush vë një cickërr rërë e gëlqere; fillo detyrën tënde!”. Ti ke më parë instinktin, pastaj konkretizimin e një ëndrre, një opinion që më vonë transfigurohet në dituri, ashtu si bima ka rrënjët, trupin, fletët dhe burbuqet që do të bëhen fruta.
Besoi instiktit deri ne fund dhe kur të ngjan që nuk të jep dot arsye. Besoi imagjinatës krijonjëse edhe kur nuk gjen dot logjikë. Besoi frymëzimit edha kur të duket foshnjor, Ky është spektri i dashurisë për njerëzinë dhe për Universin, ai ka nëntë shkallë për t’u ngjitur deri në sferat e qiejve, ashtu siç bëri NIRVANA.
Durimi i bazuar në arsyen dhe i nxehur nga ndjenja, fiton kundra dhembjes saqë e bën këtë FRYMËZIM për të qarë fatkeqësitë e të tjerëve me dashuri dhe solidaritet. Mirësia vjen si konsekuencë e kësaj gjendjeje shpirtërore të bujarisë për të dhënë sa më shumë. Nga kjo gjendje shpirtërore, lind bujaria me zemër në dorë, pa vështruar kurrë të metat e të tjerëve. Ngadalësisht vjen përvujtnia, që është shpërblim i dashurisë dhe që shpie në një zonë fitimi: përtej së mirës dhe të ligës, ku nuk gjen vend asnjë përlyerje tokësore, Aty nis sfera e lartë, ASGJËSIMI ynë për t’u gjerbur nga Natyra dhe PËRJETËSIA, që janë ideali i transformacionit tonë në shpirt për brezat e ardhshëm. Shkallët e durimit: mirësia, bujaria, përvujtnia, altruizmi, sinqeriteti përgatisin njerëzimin e shekujve të ardhshëm për një botë më të mirë, më të pastër, më të lumtur. Këtu fillon ETERNITETI.
Ndiej brenda në UNIN tim origjinal, si në ndonjë shtresë FROJDIANE, të ndërgjegjes, një KANDAR peshonjës dhe ekuilibronjës të emocioneve të zorshërn. Kur kam trishtim në UNIN tim, ai kandar më sjell në sipërfaqe të ndërgjegjes arsyet e gabimit tim pse jam i trishtuar. Këtu fillon një tjetër jetë shpirtërore. E ndiej qartë që ai kandar luan një rol kryesor në HUMORIN tim. Kur kam dëshpërim, aq sa duke mos gjetur udhë tjetër, mendoj në dorëheqjen, ai kandar më bind që ne nuk jemi të varur nga evenimentet e shoqërisë, ose të ndodhive historike. Më bind që me anë të vullnetit, unë mund t’ia rregulloj BUSULLËN anijes sime dhe të mos u bindem, as t’u shtrohem stuhive të kohës. Bindem ne këtë konkluzion: SHPIRT-MENDJE. Dhe nuk jap DORËHEQJE.
Eksperienca më ka bindur që aftësia ime, për të dëshiruar, për të gëzuar, për t’u kënaqur janë në masën më të madhe aftësia e lindur në mua, me karakteristikat e mia, ashtu siç është fytyra ime origjinale. Vë re rreth e përqark meje dhe shoh njerëz që, pa arsye të rëndësishme janë të kënaqur nga jeta dhe shoh të tjerë që, duhej të ishin të kënaqur, po që janë të trishtuar, Ngjan sikur disa janë lindur me një botile SHAMPANJË në dorë, sikur se të tjerë, janë lindur me një botile helm. Si njërës palë, edhe tjetrës do të doja t’u thosha, që disa lindin me një botile HASHASHI nën hundë, kurse të tjerët me një tufë trëndafilash. Jeta e mirë nuk mund të përkufizohet me një APOFTEGMË, porse do të jetë mirë të vazhdojnë të gjitha anët e prizmit të shpirtit, më përpara se t’i dorëzohen DËSHPËRIMIT.
Dostojevski shkroi: “Dashuroni çdo fletë peme, çdo rreze drite, çdo shpend, çdo kafshë, të gjitha gjërat që shihni dhe prekni, që dëgjoni dhe që ndjeni”. Mendoj që mistiku rus, në atë çast do të ketë menduar në Zotin. Kushdo që do të ketë atë aftësi le ta përdor, porse besoj që, edhe ata që nuk mendojnë Zotin, mund të dashurojnë të gjitha bukuritë e Natyrës, po të kenë të mprehta antenat e ndërgjegjes që të rrëmbejnë çdo çast të bukur që jep jeta. Edhe kur udha që kemi marrë del e shtrembër, kemi plot kohë ta gjejmë udhën e drejtë, mjafton që të koncentroheni në ndërgjegjen dhe mendimin tonë. Të jemi të guximshëm që ta bëjmë AUTOKRITIKËN aq drejtësisht, siç do ta bënte një armik yni. Anasjelltas, atëherë do të dashuroheshim me çdo krijesë dhe me bukuritë e Natyrës. Kështu do të kuptonim qëllimet e UNIVERSIT.
Ekziston një fuqi në shpirtin e njeriut aq e bukur dhe e fortë sa edhe mirëbërëse. Ajo është si një sirenë e vogël magnetike, që herë pas here na zgjon nga realiteti për të udhëtuar në jetën e ëndrrave.
Kur ajo tringëllon dhe ne e ndiejmë veten të lumtur, me gaz e hare, na vijnë ndërmend të dashurit tanë, që kanë kaluar në jetën e amëshuar. Kjo fuqi është aq e parezistueshme, sa që na rrëmben në një DIALOG me ata, dhe i shohim të gjallë para syve. Na duket se i prekim me duar. Mendimet, simpatitë, dashuritë tona hedhin valle rreth nesh në mënyrë që krijojnë një bashkëpunim e botëkuptim misterioz aq të gjallë, sa na duket realitet. Ashtu shoh tim atë, që më këshillon duke më qortuar gabimet e bëra dhe më tregon një kriter të ri për të mos i përsëritur. Shoh nënën që më qorton me zemërim, përse nuk iu binda këshillave të saja. Shoh vajzën që më qan nga vetmia në një varrezë të largët. Shoh gruan që me lutje e me lot kërkon të më bindë të mos vuaj se nuk qe faji im; më flet mua sikur i flet Zotit me dashuri mistike. Kur mbledh veten marr ndërgjegje të një realiteti tjetër; ky lëndori, që më mban rob me aprovimin tim.
Isuf LUZAJ