XHIXHOS
Kur të zgjohesh nënë e dashur nga gjumi
Do më gjesh më plakë se sa ike zotrote,
Fat të madh prunë stinët dhe lumi
Siç ia kërkoi Zotit, zemra jote.
Në kopshin tim do mbledhësh trëndafila,
Tek ia mbolle ti bërthamën qershisë
Mbiu lulja e fortë e therorisë.
Në pemë që ti mbolle, këndojnë bilbila
Me një këngë si himni i lirisë.
Koha të dha ç’i kërkoje Perëndisë.
Çuditem, o nënë, sa zemër e mendje.
Si të mban dheu, o nënë, zotërinë tënde
Që dhe vetëtimës ia fikje fuqinë.
Do shohësh sa jam plakur, po dhe sa jam pjekur
Siç i përket burrit, që e drejton fatin e tija,
Do shohësh përgjigjet për sa jam përpjekur.
E mbusha kupën sa desh fantazia.
Në letër i ngjita ngadalë edhe mirë
Yje e rubi, perla dhe zafirë,
Dhurata thesaresh, zemrën të dlirë
Me gjak e me zjarr fituam lirinë
Siç e doje ti, kur i luteshe qiellit,
Mrekulli historie vetëm këtu pa diellin.
Sa dua të të shohë, të qesh buza jote.
U bë ashtu siç e deshe zotrote,
Të gjallë ia zumë armikut ushtrinë.
I nderuam robët, u dhamë bukë e gjellë
Siç më porositje kur qesh çilimi:
Nënat e tyre në atë tokë të mjerë
Në bark i kanë mbajtur, si unë i kanë pjellë,
I kanë rritur të gjorat me vobegësi.
Fajin e ka mbreti që i mblodhi në ushtri,
I dërgon në luftë për namin e tij.
Të vije, moj xhixho, sa shumë që dua
Të shohësh që punova me dritën e ballit,
Të shohësh fantazmat e legjendave të tua
Që na i tregoje pranë vatrës së zjarrit,
Duke pjekë gështenjat që qëroje për mua,
Më fërkoje kokën, më puthje sytë e ballit.
Do çuditesh që shqerri yt hallemadhi
Ia zuri me zjarr barikadën armikut,
Ia hoqi nga duart flamurin zabitit
Siç thoshje ti, e fala të ligun:
Mëshira dhe nderi janë bukë shqiptari.
Nderojmë të huajin kur na vjen si miku;
Fisnikërinë tënde ja mësojmë barbarit.
Isuf LUZAJ” Lamtumira e Yjeve”. Faqe 160
Shënim: Autori I’a Kushton Nënës.