Në një vend të harruar,
Si nga Zoti, dhe qytetërimi
Çudi! Pata njohur një lloj xhikomale
Të kuqe e të verdhë si një portokalle,
Që gjendet vetëm dhe vetëm në ato male,
Me sqep të hollë e të fortë që ha trungun e lisit,
Që do ish shpirti i ndonjë femre të madhe
Dashuronjëse e ndonjë poeti me famë.
Po të besosh në Rimishërimin
Shpendi do ish një lloj provimi,
Sigurisht, dikur pati qenë një zonjë
E egër, e butë dhe e bukur
Si çdo krijesë që lindi e lumtur.
Kur këndonte, ngjante duke lutur
Atin e Qiellit për fatin e saj.
Unë paç njohur një lloj xhikomale,
Që posi bilbili
Në malet tona, nga marsi e nga prilli
Këndon pa u lodhur deri në gushtovjeshtë.
Dimrit zbret në korie e fusha,
Çlodhet fshehur, se i enjtet gusha
Si një mungur, si fakir i thjeshtë.
Kur vijnë dallëndyshet, zhduket paskëtaj.
Rastësisht pata njohur një lloj xhikomale
Me zë prej bilbili.
Në çdo dritë agimi
Vinte së largu që nga perëndimi,
Fluturonte e ndalej në pemë të asaj lagjeje
Ku banonte fakiri.
Vështronte kujdesur rreth e përqark
Si një e dashuruar që i fshihet njerëzisë.
Vizatonte në qiell aq bukur një hark,
Unjej një çiçkërr në degë të selvisë,
Pastaj, e pastaj, avash e ngadalë
Zonja xhikomale
Afrohej e ulej në ballkon te dhomës sime.
Këndonte sikur qante, si lutje, si dhimbje
Me një kadencë, me një harmoni
Duke ‘mu afruar, duke më soditur
Si e dëshpëruar, si e mërzitur,
Sikur njihte dhe qante hallet e mia.
Kur unë çelja ngadalë një kanatë
Të dritares, që përpiqej në fletë pishe,
Xhikomalja me afrohej ngadalë.
Hynte në dhomë, ulej mbi tryezë
Posi një nuse në ditën e tretë
Kur e vë vjehrra të hollojë bakllavanë.
Vështronte e druajtur, më afrohej mënjanë
Me një vështrim e dashuri foshnjërie.
Priste t’i bëja në pjatë farfurie
Përshesh me thërrime buke dhe sheqer
Me qumësht e ajkë ne gryk botileje.
I mërdhinin këmbët, kur shkelte në mermer;
Për t’u ulur i shtroja një mandile.
Ajo më vështronte si me një lloj habie,
Hante kokunjur si një murgeshë e re,
Merrte fluturim, humbiste nëpër re…
Kështu vazhdoi pesë vjet miqësie,
Pese vjet që banova atje.
Kur ika pas fatit, lashë punë e shtëpinë,
Banonjësi i ri më tregoi historinë
Që është shumë e zorshme ta besojë njeri.
“I dashur mik, shok dhe koleg,
Xhikomalja vjen e qëndron në atë degë,
Sodit një kohë të gjatë në dritare,
Vështron rreth e qark, ngjan se diç mendon,
Merr fluturimin, humbet ne hapësi.
Ky është trishtimi i saj. Çudi, o njeri
Qe xhikomalja zuri dashuri
Vetëm me ty”.
Kështu më shkroi miku dhe kolegu
Nga malet e lartë, nga rrëza e atij bregu.
Isuf Luzaj