Kudo gjeta nëpër plagë të planetit,
Në dasma ku lidhte mendimi krushqi
me ëndrra, fantazma, dashuri të poetit
martonin Metafizikën, Frymëzimin poezi
Net’ e ditë të endura në avlëmend
me Kujtesën që të kthen ç’i dhënë,
duke e situr mielli me besën e shenjtë
karakteristikë vetëm e zërit tënd,
imagjinata dashuria me mend
që janë të bijat bonjake të shpresës.
Koha ime qe kohë e sëmurë
I mblodha yjet, i ngjesha në gji;
i mbrujta me lotë, i poqa në furrë;
i derdha si oriz në pjatë farfuri.
Shkronjat lëvizin tutje-tëhu në pëlhurë
për të pikturuar një idhull të ri.
Motër e dashur, kimerë fantazi
Në paç ti fuqinë sa dëshirat e mia
Do këndosh nëpër shekuj duke qarë pa mërzi.
Fjala memece s’shpreh dot ç’i thotë zemra.
Mendjet bonjake dhe kur lindën femra
Mbetën shtatzënë me ideale dhe ëndrra,
s’ia japin dot jetës, pa qenë perëndi.