Propozuar për çmimin Nobel Prize
Gabriela Mistral në 1945 merr Çmimin Nobel, për nderin e letërsisë së Kilit!
Ç’më lexove në shpirt, kur pështete një dorë
Mbi supin tim, kërrusur, nga vitet me plagë,
Lehtësisht si e trembur, si thëllëza mbi borë
Si e pasigurtë, si e rënë duke shkarë.
Frikës i shtove një buzëqeshje të hollë.
Kaluan silueta si shpendë arratije
Peshkatare perlash nëpër thellësirë,
Trazuar mendimet si peshqit e ngrirë
Mbuluar me kripë brenda kutie,
Më kërkove kuptimin, kur të kërkova mëshirë.
Hëm poeteshë, hëm murgeshë e vendosur
Luftë antitetike në ndërgjegjen tënde,
Pasqyrë kristali, moshës vashërisë,
E butë në ndjenja, e egër në mendje;
Hëm çerdhe muzash, hëm furrik nepërke.
M’u betove pa më njohur në vite të shkuar
Poemin në mua pate adhuruar,
Ndjenjë virgjine e pafajsisë.
…..
Po bie shi nga rrënjët e qiellit,
Përshkon në shtresat e ndërgjegjes
Shumë të lodhur, shpesh herë plagosur.
M’u desh t’i zbuloja rrënjët misterit,
Magjisë së fjalës pa parë fytyrën,
Diçka abstrakte që më magjepsi
Pa e dashur, pa e kërkuar,pa e kuptuar.
Vetmi sahare në qytet madhështor,
Përpiqet si shpend në kafaz mbyllur shpirti,
Fluturon si pëllumbi trembur nga gjarpri
Që i zuri çerdhen pasi i gjerbi vezët,
Fantazma e viteve që bëri mik tmerrin,
Herë gurrë burimi, i egër vreri
Nga goja e dreqit në portë të Ferrit,
Agim e perëndim një rënkim varri,
Skalitur në dy data mermeri.
Pastërtia që perëndesha e bekuar.
I hapëm me thonj tunelet e malit
Unë duke lutur, ti duke u betuar.
Kurrë s’u takuam në tunel të ARIANËS
Të dy të sinqertë: shembull virtyti.
Isuf LUZAJ” Lamtumira e Yjeve”.Faqe 147