PËRMBYTJA E PLANETIT
Ata ikën të gjithë përgjithnjë,
Merr frymë njerëzimi, që ndjehet i lirë.
Vdekja ish shpëtimi në atë botë mynxyrë
Të atyre që ikën, po mos ardhshin më.
Nga drama e tyre nuk mbeti asgjë,
Veçse: turp, uri gjak e neveri.
Mendoni i ziu popull: Do ketë Perëndi?
Koh’ e tyre mbet kaos si boshësia,
Tërmeti që prish, s’lë asgjë prapa tija,
Gjurmët e kalimit janë shkatërrime,
Gurë, drurë, vaj; gjak e mallkime,
Që errësojnë besimin te Perëndia.
Dhembje që do udhëtojë në njerëzinë
Në shekuj, për shekuj, në kohë që do vinë,
është, si ata s’arritën të kuptonin
Që, vlerat shpirtërore që ata shkatërronin
Janë gurë themelorë për dritë qytetërimi,
Esenca e tyre – ekzistencë mallkimi,
I errësojnë njeriut besën te Perëndia.
Isuf LUZAJ “Përtej së mirës dhe së ligës” Faqe 90.