Hyrja e librit “Sëmundjet e shekullit tonë”
Fisnikëria e një libri
Vepra filozofike “Sëmundjet e shekullit tonë” me autor Isuf Luzaj ka karakter të theksuar njerëzor. Ideja themelore e saj është: Pa një shpirt fisnik, pa një edukatë dhe karakter të fuqishëm, shoqeria do të mbetet gjithmonë në stanjacion të plotë. Po të kemi këtë parasysh, atëherë duhet ardhur në perfundim se botimi i kësaj vepre është i domosdoshëm për vendin tonë, sidomos sot.
Që në fillim, autori në “Kështu foli Zarathustra”, vepër e njohur e Frederik Niçes, vëren: Gjithçka që shkruhet e thuhet e nuk bën thirrje për drejtësi njerëzore është e kotë, sepse pa këtë nuk ka shoqeri të vërtetë, mungon çiltërsia, e cila vendos për gjithçka.
Karakteret prishen nga regjimet totalitare të gjithëllojshme, sepse këta e shtypin, e zhdukin dinjitetin njerëzor. Terrorizmi, në përgjithësi, është mëma e gjithë të këqijave, sepse e shkel, e eliminon shpirtin njerëzor shumë shekullor. Vlera e përbashkët politike është pasuri dhe mirësi, dhe, drejtësia është një nga kriteret më të larta të botës shpirtërore, pa të cilën vet njeriu është amorf dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë asnjë vlerë. Shqipëria, sipas autorit (dhe me plotë të drejtë) ka nevojë për figura të fuqishme morale. Ato e shkundin atë nga amullia në të cilën vegjeton.
Autori jep mendimin e tij dhe për rendin demokratik të një vendi, mendim i huazuar nga filozofi i degjuar francez Bergson, sipas të cilit, demokracia duhet të mbështetet në përvojën shekullore të një kombi.
Ajo nuk mund të qëndrojë në erë.
Autori është i bindur se vetëm besnikëria ndaj së vërtetës e çon botën përpara. “Shpirti dhe lënda (materia) jane dy parime të bashkuara në të njëjtën qënie, e cila quhet NJERI”. Pa shpirt nuk ka qënie njerëzore dhe studimi i personalitetit njerëzor është punë e vështirë. Si duket, autori e njeh mendimin e prerë të Hygoit, sipas të cilit roli i mësuesit në shkollë është që nga nxënësi të farkëtojë një njeri. Zoti i vërtetë është shpirti njerëzor dhe feja e mirë është ajo që ka dalë nga vullneti hyjnor për jetën. Njeriu duhet ta pastrojë shpirtin në luftë me djallin, trurin nëpërmjet gjimnastikës së tij, pavaresisht se nuk e arrin pastërtinë e plotë. Shoqëria njerëzore përmiresohet shkallë, shkallë dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të mëdha, me ndihmën e të gjithëve dhe sidomos nëpërmjet përparimit të shpirtit dhe të edukatës.
Autori vë në dukje disa të meta te shqiptarët, të cilat duhet të kihen parasysh, sepse ato kanë lindur gjatë historisë fatkeqe të tyre. Shqiptarët, thotë ai, duke mos e përjashtuar as veten, kanë gdhendur në shpirtin e tyre vese të egra, të trasheguara nga pushtimet e ndryshme: barbare, bizantine, osmane, fqinjëve të egër. Kjo traditë, e mbushur me vese, duhet të krasitet dhe pastaj të zhduket një herë e mirë. Ato vese përbëjnë një virus që duhet pastruar medoemos, në qoftë se dëshirojmë të shkojmë drejt qyteterimit njerëzor.
Në këtë libër rëndësi vendimtare i jepet rolit të edukatës, të arsimit, duke patur bindje se shqiptari fare mirë mund të shërohet, përndryshe nuk do të arrihet qëllimi fisnik, i cili nuk është asgjë tjetër, veçse “e mira e përgjithëshme”.
Nuk i duhet vënë rëndësi pamjes së jashtme, sepse fare mirë ajo mund t’i ngjajë një kënete dhe të dëmtojë rëndë shoqërinë. Në këtë rast shoqëria është e sëmurë dhe i ngjan “një korkodili të madh”. Pa virtyte morale asgjë të mirë nuk ka në jetë dhe kjo, shoqëria, bëhet ujk për njeriun. Autori përsërit rolin negativ të totalitarizmit. Ky është “anarkizëm” që nuk i jep asnjë vlerë shoqërisë. E mira është vërtetësi dhe bukuri.
Autori ngre lart rolin e poezisë së vërtetë morale në jetë. Poezia e Dantes është e mirë sepse është morale. Ajo përfshin në të vërtetë edhe fisnikërinë e artit. “Poezia ekziston si art kur poema e lexuar na bën të qajmë, të qeshim, të pendohemi, të korigjohemi”. “Parajsa e humbur” e Miltonit, i përmbledh të gjitha cilësitë e poemës: “Virtytin, ekstazën, pastërtinë shpirtërore…edukimin dhe mbi të gjitha muzikën qiellore”. Autori me të drejtë ngre lart Hygoin, Homerin, Gëten, Shilerin, Miltonin, Mysen, etj., por dhe Konfucin, Budën, Krishtin, Muhametin, sepse edhe ata kanë në veprat e tyre poezinë e vërtetë, sepse prekin fort mendjen dhe shpirtin te njeriu. Për autorin, poezi e pastër është ajo që mundohet të shprehë sa më sinqerisht, sa më vërtetësisht mendimet, ndiesitë.
Sic shihet, bota shpirtërore e Prof. Isuf Luzaj-t është shumë e pasur, e çltër, sepse është bota e kulturës, e edukatës dhe e gjithë cilësive dhe vlerave të shumta humane. E rëndësishme është se autori këto kërkon t’i shikojë te tërë shqiptarët.
Për të gjitha këto arsye është e domosdoshme që këto studime filozofike të botohen, me qëllim që lexuesi shqiptar t’i njohë dhe të reflektojë fort në mendjen e tij, të forcojë vullnetin dhe optimizmin për të ardhmen. Vetkuptohet se, pa një arsimim të gjithanshëm, asgjë nuk mund të arrihet.