VI
Pak u dukë,hiç s’u pa,pak u gjend,
Si filloi, si mbaroi merseleja,
Po,u prish populli nga mend,
Siç ndizet zjarri nga era dhe reja:
Si të djallëzuarit e romancave ruse,
Si t’ekzaltuarit e romancave franceze,
Si të dashuruarit e romancave italiane,
Si të dëshpëruarit e romancave gjermane,
Q’i shesin shpirtin dreqit për fuqi,
Si kërmat që këputen copa-copa nga vesi
nëpër romancat e gjata hungarezi,
Si ethet e çmendurisë së DON KISHOTIT
Në luftë me fantazma të Servantes spanjollit,
Si çmenduria e gjinisë së anglezit,
Që nga xhelozia mikrobi i sifilizmit e mbyt me jastëk të dashurën e tij,
Si marrëzit e romancave kineze,
Si prostitucioni i plazheve greke,
Si sëmundjet misterioze afrikane,
Si komeditë e novelat japoneze,
Ku matet me kandar e paguhet me jene dashuria pas moshës së vashës fatzezë,
Si aparati i monarkive aziatike,
Ku ndahen fuqitë në nipër e mbesa,
Si rrugët e errëta të parizianeve ashike,
Si zulutë që martohen kur venë të korrin fshesa,
Aty fillon,aty mbaron e gjithë festa,
Ashtu ndodhi në popullin tim të mjerë,
U zhduk çdo fuqi shpirtërore,çdo vlerë,
Një hata,tmerr,batërdi!
Më keq nuk kish arritur kurrë
Një popull në zbritje morale,
Harroi veten që është burrë,çdo burrë,vuri byzylykë,veshi fustanë, u mbush shteti me bandillë jaranë: imoraliteti u quajt modernizëm,poshtërsia u quajt heroizëm,gjaksori u quajt vetëvendim,korrupsioni u quajt virtyt Partie, tradhtia u quajt atdhedashuri,atdhedashuria u quajt tradhti,një shkollë poshtërsie në nj’APOSTAZI. Partia një emër abstrakt mbi të gjitha, Fashizmi,nazizmi,socializmi një lloi,ndryshimi,që këtu vdisnin njerëzit nga frika,kur i vështronte tirani në sy.
Isuf LUZAJ “Gloria e Çmendjes”. Faqe 32