Rrëfimet, 1937
Kohë turpi
Të gjorët vargjet e mi,
I dogji dor’ e kusarit,
Turpi i gjorë në histori,
Kohë polici, kohë xhandari…
Kohë e nëmur, kohë urie
Kohë turpi, kohë zie,
Që në kokë e gjer në thua;
Vdekur zana, vdekur ora,
Vdekur kombi, kur vdes Vlora,
Shurdhër, memecë dhe qorrë;
Burrat për trastë hauri
Kërrusur shpina, thyer gjuri,
Helm në kokë e në thua,
Shkarrëzyer nëpër llomi,
Populli, more lum e përrua –
Turpi i parë në Histori!
Të gjorët vargjet e mi
Zgjua ëndrrash Ideali,
Besoja si çilimi
Në shtetin e bajraktarit,
Rreth e qark kone e gjarpërinj
Fati kombit lodër zari,
Tiranë, Zvicër, Itali
Fluturojnë valixhe ari.
Populli vdiq në uri
Mbushur goja tërfil bari,
Tej e tej në Labëri
Vdisnin si mizat beharit,
Kur i zë furtunë e shi.
Të gjorët vargjet e mi
Në stiva i dogji zjarri.
Në Lice ndodhi arrestimi
Në klasë tek jepja mësimin.
DECOURVILLE bën çudi
“Ç’ Do të ketë bërë ky djalë i ri,
Shumë e rreptë qenka shtërngica-
Përse ndodhi arrestimi?
Për ca vargje fjalë trimi
Që i qau lalagjoni,
Përgjuan spiunët e rinj:
Libri flet me ironi
Figura alegori
Shumë të gjalla, aluzioni
Flet për Madhërinë e tij,
Në Gjarpërin e në Neronin
Bincë e ngushtë në ministri
Nëntëdhjetë ditë në errësi,
Me dy tortura barbari
Që ka turp t’i thotë shqiptari.
Moj e mjerë Shqipëri
Kur do vesh mend e lloi,
Të mësosh në histori
SI NDEROHET FAQEBARDHI?
Kredhur shpirti në llomi,
Perëndi është bajraktari.
Në Korçë u hap gjyqi i zi
Prap goxha ceremoni,
S’u lejua gazetari,
Protestoi Gjergj Bubani:
“Kjo nuk është drejtësi
Gjykohet një djalë i ri,
Përse shkruajti poezi
Të pa faj,pa ligësi
Posi një ëndërr behari!”
U ndodh gjykatësi Shkodrani
Fisnik gjaku, fisnik xhani,
Trim posi Selam Musai
Arbëror gjak Arbërori,
Rrefuzoi ç’tha dëshmitari,
E lozi fatin e tij,
Shqipëroi “PAFAJSI”.
Libri që me lot u shkrua
Me halle, vobegësi,
U shkërrmoq dhe u dërrmua,
Shpirt labi, si t’u durua!
Rrëfimet u bënë hi.
Mjera ti, moj Shqipëri,
Kur do vijë një brez i ri:
Të bëhet koha me mua?!
Isuf LUZAJ “Rrëfimet i botuar në 1937” .
Shënim:
1.DECOURVILLE- Drejtor frëng i Liceut të Korçës.
2.Gjarpëri dhe Neroni, dy poezi në Rrëfimet.
3.Ndoc Çoba kryesoi gjyqin. Vasil Xhaçka,Sotir Kozma,një profesor matematike nga Gjirokastra, një prokuror vlonjat, përbën gjyqin.