Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse!
Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur?
Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakufizuar, ashtu si ndarja që u bëjmë deteve, duke u vënë nga një emër, sa për t’i dalluar. Ajo mbyll me kyç një lloj kuptimi, që e ruan me xhelozi, pa e treguar kurrë sublimen. Shkurt, është një koncept arsyetimi.
Kënaqësia qëndron si shija e mollës në qiellzë të gojës. Ndjenja e lidh atë me përfaqësimin e vetëm të cilësisë, kurse sublimen me të sasisë.
Gjeniu është talenti që prodhon i pari krijesën origjinale të ngjitjes së ekstazës, pa vënë fre, rregulla e rregullore, siç nuk i vihet ligj valës së detit. Vjen frymëzimi, që e merr për dore imagjinatën pjellore të poetit; ndaj cilësia e parë është origjinaliteti.
Bukuria është përpjesëtimi i trajtave, i ngjyrave, i lëvizjes, dritës, errësirës, i tingujve, i lotëve që u shpëtojnë njerëzve përtej koncepteve të së ligës e së mirës, e vetmja esencë-ekzistencë e dëshirës, që jeton e gjallë në lëndë dhe në ide, që shihet me mend, që preket me dorë; përgjunj të gjitha fuqitë e gjalla mbi dhe; akullin e bën zjarr, avullin e bën borë, që e adhuron edhe asketi që e mallkon; trembet dhe plaku kur në sy e vështron, zbutet prej saj çdo bishë… i rrinë në gjunjë njerëz e perëndi.
Filozofia e bukurisë është një teori e vlerave. Bukuria dhe vërtetësia janë shprehje e idealit, simbolet e perfeksionit dhe manifestuesit e së mirës.
Ku lind bukuria? Çfarë konditash duhet të përmbushë një ekzistencë për të qenë e bukur? Cilat elemente të natyrës na bëjnë të ndjeshëm, të prekshëm ndaj bukurisë? Cilat janë lidhjet mes konstitucionit të objektit dhe entuziazmit tonë të perceptibilitetit?
Këto pyetje i shpjegon filozofia e artit, kryesisht kriticizmi, për të njohur esencat e artit.
Isuf LUZAJ