“Ekzistenca dhe boshësia”, nën ndikimin e fuqishëm të filozofisë amerikane të shekullit tonë, paraqet interes në dy drejtime themelore: paraqitet një lidhje e re midis moralitetit dhe divinitetit. Zoti me imazh të personalizuar është goditur nga ateizmi marksist apo niçean, që gjithsesi nuk largohet nga tabani psikologjik i krishterë. Sipas autorit të punimit, humbja e figurës së personalizuar të hyjnisë nuk do të thotë humbje e besimit apo e besës. Në një rrafsh të dytë, sidomos kur flitet për konceptin e teozofisë, paraqitet ideja se ka një pistë të gjerë në të cilën kërkimi shkencor dhe besimi fetar mbi një zot të depersonalizuar, jo vetëm që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por formojnë një bashkësi të fuqishme koherente. Libri i Prof. dr. Isuf Luzajt është një vepër interesante filozofike, me elemente të zhvillimit të bindjeve personale. Ai sjell argumente kundër filozofisë bashkëkohore europiane, sidomos asaj të orientimit ekzistencialist (Hajdeger, Sartri etj.), që paraqiten si filozofi të boshësisë, hiçit. Luzaj është kundër nihilizmit dhe synon ringjalljen e një sistemi organik të mendimit, që ai e barazon me teozofinë, një teori deiste, që do të tejkalonte kufizimet e teologjisë kristiane të një zoti personal, qoftë edhe ateizmit dhe nihilizmit të filozofisë bashkëkohore.