Të qeshësh, kur qajnë të tjerët
Dhe të qash, kur ata qeshin
Është një art shumë i përkryer,
Që e dinë veç ata që vdesin,
Neveritur kësaj jete.
Nisën anijet mbi dete
Plot me borça të vërteta
Të pakuptuar nga njerëzimi,
Zgjodhën udhën e mbarimit
Për një liman me qetësi.
Si në ligjet e Fizikës dhe në ato të Gjenetikës
Ftohtësira e nxehtësira bashkohen shpejt vetvetiu.
Çdo njeri, që di të mendojë, shpejt afrohet te gjeniu,
Është ligj i imitimit që piqen pemët në degë
Duke parë njëra-tjetrën, ftoi që piqet me shegë
Pemët dijnë të komunikojnë heshturas, pa gjuhë njeriu.
Kështu i ndodh çdo fakiri,
Që shkrin jetën si qiriri,
Që jeton i dëshpëruar
Natë e ditë duke gatuar
Vrerë e gaz, gazin me vrerë;
Vuan, kur vuajnë të tjerë.
Kur vdes Zera, vdesin Orët,
Nuk të mbetet udhë tjetër,
Veç të jetosh me dëshmorët:
Fantazmat që hedhin valle
Natë , në tryezën time
T’i shkosh në shtrungë duke qarë,
Deshët që mbajtën këmborët
T’i nxjerrësh viganët nga varret
T’i puthësh dhe t’i përqafosh
Nëpër tempuj në mërgime
Me atë zjarr dashurie
Që ka miku i mirë për mik.
Janë ata që më lanë vetëm në një lloj mënyre,
Do vazhdoj dot udhëtar nëpër gjurmët e tyre?
I sigurt që, po të ishin me mua në këtë jetë,
Krah për krah do udhëtonim për një ditë të vërtetë
Ashtu siç i hidheshin zjarrit, dorë për dore pa njohur rrezik.
Më thahen lotët në faqe, cerg-cerga përmbi letër
Zgjohet mendja zemëruar, vjen më gjen nga bota tjetër…
Isuf LUZAJ “Përtej së Mirës dhe së Ligës” Faqe 106.