Ekziston një stinë për çdo veprim dhe një ditë për të vendosur udhëtimin. Ekziston një çast për të rilindur dhe një çast për të vdekur; një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur çdo bimë; një kohë për të qeshur dhe një kohë për të mbajtur zi; një kohë për të shkatërruar dhe një kohë për të ndërtuar; një kohë për të shpërndarë gurët dhe një kohë për t’i mbledhur; një kohë për të larguar dhe një kohë për të përqafuar ndodhitë, një kohë për të mbajtur heshtje dhe një kohë për të folur; një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer; një kohë për luftë dhe një kohë për paqe. Duhet te dimë që të zgjedhim kohën.
Unë do të shtoja: Jepmë, o Zot durim të mbaj qetësi në kohët negative; jepmë fuqi për t’i drejtuar, porse më shumë jepmë, o Zot, dritë të dalloj njërën nga tjetra; dhe atëherë, jepmë fuqinë që t’i zotëroj unë ato dhe jo ato mua, duke më bërë një top llastiku, me të cilin të tjerët të lozin PING-PONG me mua.
Bier e ngrehu, herë duke vrarë gjunjët, herë duke shembur turinjtë për muri: mësova që arsyeja e rrëshqitjeve ish sepse unë vazhdoja besnikërisht kursin e ndodhive. Në një çast të moshës mesatare, ndjeva një rrënqethje, si një krizë në shpirt me një dritë të re në trup. Hapa sytë dhe pashë qartë që FAJI nuk ishte i imi, por i ndodhive të epokës fat-zezë. Atëherë vendosa të mos u bindem ndodhive, po ta zgjedh rrugën time. Ish vonë. Mësova që njerëzit e mëdhenj nuk kanë vajtur pas ndodhive, porse ata i kanë krijuar ndodhitë. I tërë problemi qëndron tek guximi: Të kesh besim në veten tënde. Heronjtë e mendimit na bënë njerëz, tani është detyra jonë të bëjmë ne njerëz të tjerë; të krijojmë ne ndodhitë transformonjëse për të krijuar avenire të rinj, të pavarur nga nënshtrashat e Historisë.
Koha e re duhet të marrë individualitetin e saj me personalitetin e saj origjinal.
Isuf LUZAJ