George Berkeley e ndërtoi mendimin e tij në dy shtylla: ngjyrat dhe shijet.
Këto dy cilësi dolën në mendjen e njeriut, kur ky dalloi të mirën dhe të ligën; kurse të parat cilësi të sigurta të lëndës janë: përzgjatimi (ekstensioni) dhe peshimi; këto dy cilësi kanë ekzistenca, pavarësisht nga mendja.
Filozofi irlandez i klimës polare, spekuloi në metafizikë, sikur të vinte nga Palestina ose Arabia. I bazuar më shumë në imagjinatë sesa në logjikën e ftohtë, ai tha, me siguri të plotë, në botëkuptimin e tij që “mendja vërejtëse (observative) në Zotin, e bën të mundshne ekzistencën aparente të vazhdueshme të objekteve (materiale) lëndore”.
Ai vajti më lart në një lloj metafizike që hyn në domenin e teologjisë dhe pohoi që “Zoti zgjon te neve ndjenja në rregulla koherente. E mira dhe e liga janë dy tentacione që na shpien në dy udhë të ndryshme, të cilat na çojnë, na drejtojnë, duke na sunduar, drejt të mirës dhe të ligës; prandaj, po të besojmë të Zoti, zgjedhim udhën e tij, që është udha e pastrimit të shpirtit.
Në këtë frymëzim ngjitemi më lart, duke kapërcyer përtej çdo të mire dhe çdo të lige të kësaj jete SENSUALE, instinktive amorfe”.
Duhet kuptuar në kriterin e metafizikut irlandez shpreja “sensuale instiktive amorfe”.Këtu po e lëmë metafizikun irlandez, për të ardhur në botëkuptimin tonë të kohës që jetojmë.
Ne mendojmë që kur të arrijë qytetërimi ynë (që është i njëzetenjëti qytetërim sipas TOYNBEE-it) njeriu, me Zotin ose pa Zotin, po të jetë bërë njeri, me vullnet të fortë, me logjikë të ftohtë, me drejtësi të plotë dhe të vërtetë, aq sa të arrijë të heqë dorë nga të gjitha tentacionet e instinktet, si nga ajo e mira, që na shpie në disiplinën e besimeve me dogma, aq të zorshme dhe të plagosshme nga eksperienca
(vulnerabile – do të thoshte Martinetti); si dhe, po të heqim dorë nga e liga, që na shpie në vese e në korrupsione (e liga, tri bisha, siç e përfytyroi Dante), njeriu do të jetojë në sferën më të lartë të paqes që i ngjanë një zone qiellore, në ekuilibër (drejtpeshim) dhe në akordim perfekt me ndërgjegjen e tij, ose me Natyrën, ose me Zotin.
Berkeley i mrekullueshëm vdiq i bindur që e rrëzoi ATEIZMIN, por, fatmirësisht apo fatkeqësisht, evolucioni në procesin mendor të qytetërimit tonë që na sundon, ky evolucion është sot në krizë dhe në luftë me të dyja ekstremet: TEIZMI dhe ATEIZMI, ose, më konkretisht, PAVLIZMI dhe EVOLUCIONIZMI.
Po të kemi dritë të fortë sa të shohim qartë trajektoren e të dyja korrenteve, do të dimë të zgjedhim virtytet e të dy ekstremeve, të cilët, si të gjithë ekstremet, duken sikur përputhen në një traguard të largët.
Në librin tim “Vlerat morale”, i kam studiuar këto dy prizma të mendimit spekulativ.
Isuf LUZAJ “Pertej së Mirës dhe së Ligës” f.19