Skena e fundit e tragjedisë së kombit
Fillim i mbarimit
Viti 1944 ndryshon fatin e luftës së dytë të përbotëshme. Në të dy frontet, si në lindje, dhe në perëndim, balanca e fitores është në favor të aleatëve. Në perëndim Amerika kundra Zhaponit korr fitore glorioze. Ky front nuk na intereson neve këtu, në këtë ditar të përpjekjes sonë kombëtare. Kurse fronti i lindjes, aleatët dhe Rusia kundra Gjermanisë hitleriane është faktori kryesor i fatit tonë kombëtar.
Fati i Shqipërisë u caktua në koferencën e Jaltës, ku Roosvelti i fali Stalinit Europën Lindore dhe Juglindore.
Ky traktat i mbledhjes së të mëdhenjve të fitores së luftës, e dënoi fatin e Shqipërisë. Zbarkimi i aleatëve në Normandi dhe jo në Ballkan i dha Rusisë Europën në duar falurazi. Ky vendim i Roosveltit kundra Churchillit ndodhi për arsye të fitoreve ruse kundra ushtrisë gjermane.
Më 26 janar 1944 rusët çlirojnë Leningradin. Fronti gjerman po zë të bjerë. Shtatmadhorija gjermane falimentoi në strategjinë e saj, sepse nënçmoi fuqinë ajrore amerikane. Bombardimet me mijëra avionë amerikanë, qendrave strategjike, komunikonjëse dhe ushqimore, njëkohësisht fabrikave të luftës gjermane, e dobësuan aq tepër Vehermahtin, saqë i tërë fronti i lindjes po lëkundej për dërrmimin definitiv që në fillim të vitit 1944.
Më 2 të prillit të këtij viti, fuqitë ruse hyjnë në Rumani. Fronti gjerman zë të adoptojë një strategji rezistence dhe ritirante. Më 12 maj të këtij viti rusët morën Sevastopullin. Kjo fitore pati një rëndësi të madhe në të dy anët e frontit: për gjermanët dobësi dhe humbje shprese, për rusët dhe amerikanët ekstazi i fitores elektrizoi ushtritë.
Përfundimi?
Më 22 qershor fuqitë ruse fillojnë ofensivën masive OPERACIONIN-BAGRACIONS.
Isuf LUZAJ “DITARI I PËRPJEKJES”