Shekulli i çmendur si oqean qiellor
Infektoi njerëzimin,
Një plagë në shpirt të çdo frymori,
Është tirania që pruri ai.
Shtypja e trurit trodhi mendimin dhe ndjenjën.
Ngriu njeriu në këmbë, sado që i dhembi
Si një shqerrë që i zë këmbët shkëmbi.
Kur gjendem bosh: në shpirt e në mendje
Më shtyp diçka si një peshë hakërrimi,
Një korb që shpon me thonj në mushkri
Viktimë, pa shpresë shpëtimi.
Rritet çdo çast ankthi anonim
Nga origjina e lotëve,
Më djeg qiellzën si gjuhë nepërke.
Si një fletë këlkaze helmuese
Në gojën e foshnjës që e përtyp pa ditur.
Lotët tregojnë efektin e arsyes,
Ndërgjegjja mbetet shkretëtirë
Si shkatërrimet e qytezës
Nga shëtitja e tërmetit
Që erdhi pa thirrur, dërmoi dhe iku.
La prapa provën e fuqisë së tija
Në kryqet e varrezës.
Era e mërgimit ka ngjyrë të murrme
E ngarkuar me hapësirë e me ujë;
Koha e bën eksperte në dhembje,
E shpalos flamurin e saj
Të bërë me tezgjah me lëkurë njerëzish
Të sëmurë.
Koprace siç është monedha e lëmoshës,
Si ajo e ftohtë, dita refugjohet
Në boshësinë e paditurisë,
E thyer si shpata prej shtogu
E një kusari lapurak
Që vjedh kasollet e të vobektëve:
Ashtu si dita nga braktisja e diellit,
Nga turpi mëshihet loti
Prapa qepallave lakuriqe të rrudhura
Të plakut, që s’shijoi asgjë nga shekulli i tij.
Në mes të kohës e të hapësirës
Mëshihet fantazma e gjesteve të mi,
Të mosgjësë se çmendur që ngjan si një hije
Që u ngjitej prapa ëndrrave të idealit
Të paarritshëm siç është lumturia,
Siç është Universi me galaksitë fugonjëse.
Ajo e dënoi me zë të burrit të ve
Që çdo agim dite, çdo errësim nate
I numëron dhembjet në tespije
Si bathët e fallit, në duar të një shtrige.
Isuf LUZAJ